Paracetamol
250 mg kokrriza
Përpara se të merrni këtë bar lexoni me vëmendje këtë fletudhëzues, sepse përmban informacione të rëndësishme për ju.
Gjithmonë merreni këtë bar pikë për pikë siç përshkruhet në këtë fletudhëzues ose siç ju ka rekomanduar mjeku apo farmacisti.
1. Çfarë është TACHIPIRINA E TRETSHME dhe për çfarë shërben
2. Çfarë duhet të dini para se të merrni TACHIPIRINA E TRETSHME
3. Si merret TACHIPIRINA E TRETSHME
4. Efektet e padëshiruara të mundshme
5. Si ruhet TACHIPIRINA E TRETSHME
6. Përmbajtja e paketimit dhe informacione të tjera
Paracetamoli i përket klasës farmakoterapeutike të analgjezikëve (barna kundër dhimbjeve) që njëkohësisht veprojnë edhe si antipiretikë (barna që ulin temperaturën) me efekte të dobëta antiinflamatore.
TACHIPIRINA E TRETSHME përdoret për të ulur temperaturën dhe për të lehtësuar dhimbjet e lehta dhe të mesme.
Mos merrni TACHIPIRINA E TRETSHME
- nëse jeni alergjik ndaj paracetamolit apo ndonjë prej përbërësve të tjerë të këtij bari (të renditur në paragrafin 6)
- nëse vuani nga një mosfunksionim i rëndë i mëlçisë.
Paralajmërime dhe masa paraprake
Drejtojuni mjekut ose farmacistit përpara se të merrni TACHIPIRINA E TRETSHME.
Kini kujdes të veçantë me TACHIPIRINA E TRETSHME
- Nëse vuani nga insuficiencë e rëndë e veshkave ose e mëlçisë.
- Rrezikojnë më shumë nga mbidozimi pacientët që vuajnë nga sëmundja e mëlçisë alkoolike jocirotike.
Mos e tejkaloni asnjëherë dozën e rekomanduar:
- nëse vuani nga alkoolizmi kronik
- nëse keni mungesë të glukozës-6-fosfat dehidrogjenazë
- nëse vuani nga anemia hemolitike
- nëse vuani nga sindroma Gilbert (verdhëza familjare johemolitike).
Nuk këshillohet përdorimi i zgjatur ose i shpeshtë. Duhen paralajmëruar pacientët që të mos marrin në të njëjtën kohë produkte të tjera që përmbajnë paracetamol. Marrja njëherësh e më shumë dozave ditore mund të dëmtojë rëndë mëlçinë. Në një rast të tillë pacienti nuk i humb ndjenjat, por duhet konsultuar menjëherë mjeku. Përdorimi i zgjatur pa mbikëqyrje mjekësore mund të jetë i dëmshëm. Fëmijëve që trajtohen me 60 mg/kg paracetamol në ditë nuk duhet t'u jepet një antipiretik tjetër, përveç nëse paracetamoli nuk është efikas.
Duhet shumë kujdes kur u jepet paracetamol pacientëve që vuajnë nga insuficienca e veshkave (pastrimi i kreatininës ≤30 ml/min. (shihni paragrafin 3 "SI MERRET TACHIPIRINA E TRETSHME")) ose insuficiencë hepatocelulare (nga më e lehtë në të moderuar).
Rrezikojnë më shumë nga mbidozimi pacientët që vuajnë nga sëmundja e mëlçisë alkoolike jocirotike. Duhet shumë kujdes në rastin e alkoolizmit kronik. Në këtë rast, doza ditore nuk duhet t'i kalojë 2 gramët.
Në rast të një temperature të lartë ose kur ka shenja të një infeksioni dytësor apo kur simptomat zgjatin më shumë se 3 ditë, duhet bërë një rivlerësim i trajtimit.
Paracetamoli duhet përdorur me kujdes në rastin e dehidratimit ose të kequshqyerjes kronike. Doza totale e paracetamolit nuk duhet t'i kalojë 3 g në ditë për të rriturit dhe fëmijët me peshë 50 kg ose më shumë.
Nëse simptomat e tij përkeqësohen ose nuk përmirësohen pas 3 ditësh apo i ngrihet shumë temperatura, duhet kontaktuar mjeku.
Nëse jeni të varur nga alkooli ose keni mëlçinë e dëmtuar, mos e përdorni paracetamolin, përveç nëse jua rekomandon mjeku. Mos e merrni paracetamolin me pije alkoolike. Paracetamoli nuk e shton efektin e alkoolit.
Nëse njëkohësisht po merrni barna të tjera kundër dhimbjeve që përmbajnë paracetamol, mos përdorni TACHIPIRINA E TRETSHME pa u konsultuar më parë me mjekun ose farmacistin.
Mos merrni asnjëherë më shumë TACHIPIRINA E TRETSHME nga ajo e rekomanduar. Një dozë më e madhe nuk e rrit veprimin analgjezik, por mund ta dëmtojë rëndë mëlçinë. Simptomat e dëmtimit të mëlçisë shfaqen pas disa ditëve. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që nëse keni marrë më shumë TACHIPIRINA E TRETSHME nga ajo e rekomanduar në këtë fletë, të kontaktoni mjekun sapo të jetë e mundur.
Në rast se barnat kundër dhimbjeve përdoren keq për një kohë të gjatë dhe me doza të larta, mund të shfaqen episode me dhimbje koke që nuk duhen trajtuar me doza më të larta bari.
Në përgjithësi, nëse marrja e barnave kundër dhimbjeve bëhet zakon, në veçanti kur merren bashkë disa barna të ndryshme analgjezike, mund të shkaktojë dëmtime të përhershme të veshkave me rrezik për insuficiencë të veshkave (nefropati nga analgjezikët).
Nëse marrja e analgjezikëve ndërpritet menjëherë pasi janë përdorur keq për një kohë të gjatë dhe me doza të larta, mund të shkaktojë dhimbje koke, debulesë, dhimbje muskujsh, nervozizëm dhe simptoma autonomike. Këto simptoma të mosmarrjes së barit zhduken brenda disa ditëve. Deri në atë moment, shmangni marrjen e barnave të tjera kundër dhimbjeve dhe mos filloni t'i merrni përsëri pa u konsultuar me mjekun.
Nuk duhet të merrni TACHIPIRINA E TRETSHME për periudha të gjata ose me doza të larta pa u konsultuar me mjekun ose farmacistin.
Barna të tjera dhe TACHIPIRINA E TRETSHME
Informoni mjekun ose farmacistin nëse po merrni, keni marrë kohët e fundit apo mund të merrni çfarëdolloj bari tjetër.
Barna që mund të ndryshojnë efektet e TACHIPIRINA E TRETSHME:
- probenecidi (një bar i përdorur për trajtimin e cermës)
- barna që mund të dëmtojnë mëlçinë, për shembull fenobarbitali (një pilulë gjumi), fenitoina, karbamazepina, primidoni (barna të përdorura për trajtimin e epilepsisë) dhe rifampicina (një bar që përdoret për trajtimin e tuberkulozit). Përdorimi i këtyre barnave njëkohësisht me paracetamolin mund të dëmtojë mëlçinë
- metoklopramidi dhe domperidon (barna të përdorura për të trajtuar të përzierat). Këto barna mund të rritin përthithjen dhe fillimin e veprimit të paracetamolit
- barnat që ngadalësojnë zbrazjen e stomakut. Këto barna mund të vonojnë përthithjen dhe fillimin e veprimit të paracetamolit
- kolestiramina (një bar që përdoret për të ulur nivelet e rritura të lipideve në serum). Ky bar mund të pakësojë përthithjen dhe fillimin e veprimit të paracetamolit. Për këtë arsye, kolestiramina duhet marrë të paktën një orë pasi të keni marrë paracetamolin
- barna të përdorura për të holluar gjakun (antikoagulantë oralë, në veçanti warfarin). Kur merren këto barna, marrja e përsëritur e paracetamolit për më shumë se një javë rrit tendencën për gjakderdhje. Prandaj, në raste të tilla, paracetamoli mund të merret për një kohë të gjatë vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut. Marrja me raste e paracetamolit nuk ndikon në mënyrë domethënëse tek tendenca për gjakderdhje.
Përdorimi njëkohësisht i paracetamolit dhe AZT (zidovudinës, një bar që përdoret për trajtimin e infeksioneve nga HIV-i) rrit tendencën për të ulur rruazat e bardha (neutropeni), që mund të kompromentojë sistemin imunitar dhe të rrisë rrezikun për infeksione. Prandaj, TACHIPIRINA E TRETSHME mund të përdoret njëkohësisht me zidovudinën vetëm nëse e këshillon mjeku.
Efekti i marrjes së paracetamolit tek testet laboratorike
Analizat e uricemisë dhe të glicemisë mund të pësojnë ndryshime.
Shtatzënia dhe ushqyerja me gji
Nëse jeni shtatzënë, dyshoni se jeni apo planifikoni të jeni, ose nëse keni fëmijë me ushqim në gji, konsultohuni me mjekun ose farmacistin përpara se të merrni këtë bar.
Shtatzënia
Nëse nevojitet, Tachipirina e tretshme mund të përdoret në shtatzëni. Është mirë të përdorni dozën më të vogël të mundshme që ul dhimbjen dhe/ose temperaturën dhe ta merrni për një kohë sa më të shkurtër që mundeni. Kontaktoni me mjekun nëse dhimbja dhe/ose temperatura nuk ulen apo nëse ju duhet ta merrni barin më shpesh.
Mund të përdoren doza terapeutike të paracetamolit gjatë shtatzënisë ose dhënies së gjirit.
Drejtimi i automjeteve dhe përdorimi i makinerive
Përdorimi i TACHIPIRINA E TRETSHME nuk ndikon tek aftësia për të drejtuar automjetin ose për të përdorur makineri.
TACHIPIRINA E TRETSHME përmban:
- sorbitol: ky bar përmban 600,575 mg sorbitol për bustinë. Sorbitoli është një burim fruktoze. Nëse mjeku ka thënë se ju (ose fëmija) jeni intolerantë ndaj disa sheqernave, ose keni një diagnozë intolerance të trashëguar ndaj fruktozës, një sëmundje të rrallë gjenetike që nuk i lejon pacientët ta përpunojnë fruktozën, përpara se ju (ose fëmija juaj) të merrni këtë bar, flisni me mjekun;
- sakarozë: përpara marrjes së këtij bari kontaktoni me mjekun nëse ai ju ka diagnostikuar një intolerancë ndaj disa sheqernave;
- propilen glikoli: ky bar përmban 1,075 mg propilen glikoli për bustinë. Nëse fëmija është më i vogël se 4 javësh, para se t'i jepni këtë bar flisni me mjekun ose me farmacistin, sidomos nëse fëmija po merr barna të tjera që përmbajnë propilen glikol ose alkool;
- natrium: ky bar përmban më pak se 1 mmol (23 mg) natrium për bustinë, d.m.th. "në thelb pa natrium".
Gjithmonë merreni këtë bar pikë për pikë siç përshkruhet në këtë fletudhëzues ose sipas udhëzimeve të mjekut apo farmacistit. Konsultohuni me mjekun ose farmacistin nëse keni dyshime.
Doza bazohet në të dhënat e treguara në tabelën vijuese. Doza e TACHIPIRINA E TRETSHME varet nga mosha dhe pesha trupore. Një dozë e zakonshme është 10 – 15 mg paracetamol për 1 kg peshë trupore, deri në një dozë ditore totale prej 60 – 75 mg/kg për peshë trupore.
Intervali kohor mes çdo doze varet nga simptomat dhe nga doza maksimale ditore.
Mes marrjes së dozave duhet ruajtur një interval kohor prej të paktën 6 orësh, me fjalë të tjera mund të merren maksimum 4 doza në ditë.
Nëse simptomat vazhdojnë për më shumë se 3 ditë, duhet të konsultoheni me mjekun.
Bustina prej 250 mg
Pesha trupore (mosha) |
Një dozë [bustinë] |
Doza maksimale ditore [bustina] |
17 – 25 kg (4 – 8 vjeç) |
250 mg paracetamol (1 bustinë) |
1000 mg paracetamol (4 bustina) |
Mënyra e marrjes
TACHIPIRINA E TRETSHME 250 mg kokrriza merret vetëm nga goja.
Mos merrni TACHIPIRINA E TRETSHME me stomakun plot.
Kokrrizat duhen vënë direkt në gjuhë dhe duhen gëlltitur pa ujë.
Grupe të veçanta pacientësh
Insuficiencë e mëlçisë ose e veshkave
Te pacientët me insuficiencë të mëlçisë ose të veshkave, doza duhet zvogëluar ose duhet zgjatur intervalin kohor kur merret. Konsultohuni me mjekun ose farmacistin.
Alkoolizmi kronik
Konsumi kronik i alkoolit mund të ulë nivelin e toksicitetit të paracetamolit. Te këta pacientë, intervali kohor i marrjes mes dy dozave duhet të jetë të paktën 8 orë. Nuk duhen tejkaluar 2 g paracetamol në ditë.
Pacientët e moshuar
Për të moshuarit nuk kërkohet që doza të përshtatet.
Nëse merrni më shumë TACHIPIRINA E TRETSHME se ç’duhet
Në rast mbidoze me TACHIPIRINA E TRETSHME, njoftoni mjekun ose shkoni te urgjenca. Mbidoza ka pasoja shumë serioze dhe mund të shkaktojë edhe vdekjen.
Për shkak të rrezikut të një dëmtimi të rëndë të mëvonshëm të mëlçisë, është i domosdoshëm një trajtim i menjëhershëm edhe pse mund të ndiheni mirë. Simptomat mund të paraqiten vetëm me të përziera apo të vjella dhe mund të mos pasqyrojnë sa e rëndë është mbidoza ose rrezikun e dëmtimit të organeve.
Nëse harroni të merrni TACHIPIRINA E TRETSHME
Nëse harroni të merrni dozën, mos merrni dozë të dyfishtë për ta kompensuar.
Drejtojuni mjekut ose farmacistit nëse keni çfarëdolloj dyshimi për përdorimin e këtij bari.
Si të gjithë barnat, edhe ky bar mund të ketë efekte të padëshirueshme, edhe pse jo të gjithë personat i shfaqin.
Me shpeshtësinë "rrallë" nënkuptohet një efekt që prek 1 deri në 10 përdorues për 10 000.
Me shpeshtësinë "shumë rrallë" nënkuptohet një efekt që prek më pak se 1 përdorues për 10 000.
Mund të shfaqen këto efekte të padëshiruara të rralla:
Janë raportuar raste shumë të rralla me reaksione të rënda të lëkurës.
Raportimi i efekteve të padëshiruara
Drejtojuni mjekut ose farmacistit nëse shfaqet ndonjë nga efektet e padëshiruara, duke përfshirë ato që nuk janë të renditura në këtë fletudhëzues. Gjithashtu, përmes sistemit kombëtar të raportimit, ju mund t'i raportoni efektet e padëshiruara drejtpërdrejt në adresën https://www.aifa.gov.it/content/segnalazioni-reazioni-avverse.
Duke raportuar efektet e padëshiruara ju mund të kontribuoni për të dhënë më shumë informacion për sigurinë e këtij bari.
Ruajeni këtë bar larg fëmijëve.
Mos e përdorni këtë bar pas datës së skadimit të treguar në bustinë dhe kuti. Data e skadimit i referohet ditës së fundit të atij muaji.
Të mos ruhet në temperaturë mbi 30°C.
Për ta mbrojtur nga drita dhe lagështira, bari të ruhet në paketimin origjinal.
Mos hidhni asnjë bar në ujërat e shkarkimit dhe te mbeturinat e shtëpisë. Pyesni farmacistin si t'i eliminoni barnat që nuk i përdorni më. Kjo ndihmon për të mbrojtur mjedisin.
Çfarë përmban TACHIPIRINA E TRETSHME 250 mg kokrriza
Lënda aktive është: paracetamol.
1 bustinë përmban 250 mg paracetamol.
Përbërësit e tjerë janë:
Sorbitol, talk, kopolimer butil metakrilat bazik, oksid magnezi i lehtë, natrium karmelozë, sukralozë, stearat magnezi (Ph.Eur), hipromelozë, acid stearik, laurilsulfat natriumi, dioksid titani (E171), simetikon, aromë luleshtrydhe (përmban maltodekstrinë, gomë arabike (E414), substanca aromatizuese natyrore dhe/ose identike me ato natyrore, propilen glikoli (E1520), triacetinë (E1518), maltol (E636)), aromë vanilje (përmban maltodekstrinë, substanca aromatizuese natyrore dhe/ose identike me ato natyrore, propilen glikol (E1520), sakarozë).
Përshkrim i pamjes së TACHIPIRINA E TRETSHME dhe përmbajtja e paketimit
Bustinë alumini me kokrriza të bardha ose gati të bardha.
TACHIPIRINA E TRETSHME disponohet në paketime prej 10 ose 20 bustinash.
Ka mundësi që në treg të mos gjenden të gjitha paketat.
Mbajtësi i autorizimit për tregtim dhe prodhuesi
Mbajtësi i autorizimit për tregtim:
Aziende Chimiche Riunite Angelini Francesco – A.C.R.A.F. S.p.A. – Viale Amelia 70, 00181 Roma (Italia).
Prodhues përgjegjës për lëshimin e stoqeve:
Losan Pharma GmbH - Otto-Hahn-Str. 13, 79395 Neuenburg (Germania).
Aziende Chimiche Riunite Angelini Francesco – A.C.R.A.F. S.p.A.
Via Vecchia del Pinocchio, 22 - 60131 Ancona.
Ky bar është i autorizuar në Shtetet Anëtare të Hapësirës Ekonomike Evropiane me emërtimet vijuese:
TACHIPIRINA E TRETSHME 250 mg kokrriza.
Ky fletudhëzues është përditësuar në prill 2020
Me anë të kodit QR te kutia ose në adresën https://leaflet.angelinipharma.com/L23 mund të lexoni fletudhëzuesin të përditësuar dhe shumëgjuhësh.